BSH vendos detyrime transparence për kursin e aplikuar në tërheqjet e parave nga ATM
Bankat dhe operatorët duhet të tregojnë kostot e këmbimit valutor përpara pagesave apo tërheqjeve me kartë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime rregullatore që synojnë të adresojnë problemet e transparencës në tarifat e këmbimit të monedhës të lidhura me transaksionet me kartë. Ndryshimet në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave” lidhen kryesisht me shtimin e kërkesave për transparencën e tarifave të këmbimit valutor kundrejt lekut në transaksionet me kartë në POS dhe ATM, transfertat e kreditit online, si dhe me masa për lehtësimin e automatizimit të pagesave.
ATM-të duhet të tregojnë diferencën e kursit përpara transaksionit
Ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe palët që ofrojnë shërbime të këmbimit të monedhës në një ATM ose në pikën e shitjes (POS) duhet të shprehin një vlerë në përqindje (mark-up), që tregon se sa ndryshon kursi i aplikuar nga kursi më i fundit i këmbimit i disponueshëm dhe i publikuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo përqindje duhet t’i njoftohet paguesit përpara inicimit të transaksionit të pagesës.
Përveç këtij informacioni, çdo palë që ofron shërbimin e këmbimit të monedhës në një ATM ose POS duhet t’i sigurojë paguesit, përpara inicimit të transaksionit, informacion për shumën që do t’i paguhet përfituesit në monedhën e përdorur prej tij dhe shumën që do të paguhet nga paguesi në monedhën e llogarisë së tij.
Përpara inicimit të transaksionit, paguesi duhet të informohet gjithashtu për mundësinë e kryerjes së pagesës në monedhën e përdorur nga përfituesi dhe më pas të këmbimit të monedhës nga operatori i shërbimit të paguesit. Ky informacion duhet t’i vihet në dispozicion paguesit edhe me një mjet të qëndrueshëm komunikimi pas inicimit të transaksionit.
Kostot e ATM-ve, burim pakënaqësie për turistët
Kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash në ATM nga zotëruesit e kartave të lëshuara nga institucione të huaja financiare, janë bërë objekt pakënaqësie nga turistët e huaj dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe përdorin kartat e tyre bankare për të tërhequr para në Shqipëri.
Megjithëse Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë detyrime të shprehura rregullatore për transparencën lidhur me kursin e këmbimit të përdorur në tërheqjet automatike, ekspertët e sektorit bankar thonë se rregulla transparence për këto shërbime ekzistojnë edhe aktualisht. Operatorët e skemave globale të kartave, si Visa dhe Mastercard, aplikojnë detyrime transparence për kostot e tërheqjeve në ATM. Komisionet dhe kostot e tjera duhet t’i shfaqen qartë klientit në ATM dhe paraqitja e tyre verifikohet dhe aprovohet nga këta operatorë.
Më shumë transparencë edhe për transfertat online
Rregullorja e re parashikon gjithashtu detyrimin e ofruesit të shërbimeve të pagesave (OSHP) për të informuar qartë dhe në mënyrë të plotë paguesin, përpara inicimit të transfertës së kreditit online, mbi tarifat e këmbimit të monedhës dhe shumën totale të transfertës, përfshirë tarifat përkatëse.
Kur shërbimi i këmbimit të monedhës ofrohet nga OSHP-ja e paguesit në lidhje me një transfertë krediti të iniciuar drejtpërdrejt nëpërmjet internetit, duke përdorur faqen e internetit ose aplikacionin përkatës të OSHP-së, kjo e fundit duhet ta informojë paguesin, përpara inicimit të transaksionit, në mënyrë të qartë mbi tarifat e përllogaritura për shërbimin e këmbimit të monedhës të lidhur me transfertën.
Përpara inicimit të transaksionit të pagesës, OSHP-ja duhet t’i komunikojë paguesit, në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, shumën totale të transfertës së kreditit të përllogaritur në monedhën e llogarisë së paguesit, duke përfshirë çdo tarifë të lidhur me transaksionin dhe çdo tarifë të këmbimit të monedhës. Gjithashtu, duhet të komunikohet edhe shuma e përllogaritur që do t’i transferohet përfituesit në monedhën e përdorur prej tij.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)